“Skandal, skandal, skandal”, Mourinho me të tjera kritika ndaj ligës turke
Trajneri i njohur portugez, Jose Mourinho, sërish ka shprehur pakënaqësi me gjendjen në Superligën turke, duke theksuar se në ndeshjet kampionale ka shumë skandale.
Komentet e Mourinhos erdhën pas gjërave kundërthënëse në ndeshjen e së shtunës në të cilën Galatasaray fitoi 2:1 ndaj Goztepes. Galatasaray është lider i ligës turke.
Sipas raporteve, disa vendime të gjyqtarëve shkuan në favor të skuadrës së Galatasarayt. Këtij ekipi në një situatë të dyshimtë iu dha penallti, ndërsa në anën tjetër të fushës, loja me dorë e Lucas Torreiras nuk u vlerësua për penallti. Nuk u përfshi as dhoma e VAR-it për të përmirësuar vendimin e gjyqtarit kryesor.
Pas ndeshjes, Goztepe doli me një deklaratë të gjatë e të detajuar, ku u kritikua referimi. Ky klub bëri thirrje që menjëherë të ftohen gjyqtarë nga vende të tjera për të drejtuar ndeshjet.
Skuadra që drejton Mourinho, Fenerbahçe, të dielën fitoi 2:1 ndaj Hataysporit, ndërsa portugezi nuk u përmbajt në konferencën për shtyp.
“Një gjë që mund të them është se gjatë karrierës 25-vjeçare nuk kam parë asnjëherë diçka të tillë. Ky është dimension që i tejkalon të gjitha ato që janë të kuptueshme. Nuk mendoj që kjo është situatë në të cilën një klub, një luftëtar, do të shkatërrojë sistemin që është shumë i fortë dhe funksionon. Mbrëmë të gjithë folën njëjtë, ‘skandal, skandal, skandal’. E kam mësuar një fjalë të re, ‘skandal, skandal, skandal’”, ka thënë Mourinho.
Videoja e tij bëri bujë, jo vetëm në Turqi.
“Mendoj se kjo disa prej jush u pëlqen. Në këtë vend e duan shumë këtë shprehje. Këtë e duan edhe fituesit, që është më e keqja. Të fitosh me çdo çmim dhe në këtë mënyrë, është gjëja më e keqe. Nuk kam pse të kritikojë lojtarët për angazhimin. Por mund të flas për atë se po ndiejmë që diçka është toksike. Po e ndiejmë këtë dhe mendoj se edhe kundërshtarët e ndiejnë njëjtë”, ka thënë Mourinho.
Nuk është hera e parë që njëri prej trajnerëve më të mirë në Evropë ka kritikuar arbitrat në Turqi. Edhe në vjeshtë kritikoi arbitrat, duke thënë se skuadra e tij po lufton kundër “sistemit”. Pas 17 xhirove në elitën turke, Galatasaray udhëheq me 47 pikë. Tetë më pak i ka Fenerbahçe në pozitën e dytë.