S’ka fitues në Gjilan e Lipjan, Dukagjini mposht Niklin ‘74
Është mbyllur pa fitues super derbi mes Dritës dhe Gjilanit (2:2), derisa Dukagjini ka triumfuar ndaj Feronikelit ’74 (1:0), si dhe Prishtina u ndal nga Fushë Kosova (0:0).
Derbi më interesant ishte i Gjilanit, ku tifozët e Dritës “Intelektualët” e lanë anash bojkotin që kishin bërë disa ndeshje, për t’i mbështetur lojtarët.
Ndeshja ishte e hapur nga minuta e parë, me raste të shumta dhe epilogu përfundimtar doli të jetë 2:2.
Drita e nisi më mirë duke kaluar në epërsi përmes mesfushorit Blendi Baftiut, që u asistua nga Ensar Huruglica (24’).
Mirëpo gëzimi i vendasve zgjati tetë minuta, me Edi Bashën që realizoi një gol fantastik për ta barazuar rezultatin (32’).
Gjilani pastaj e përmbysi epërsinë me një supergol të Qëndrim Ismajlit nga distanca (44’).
Drita u këndell me Albert Dabiqaj që i shënoi ish skuadrës pas asistimit të Ajzerajt (55’).
Sidoqoftë, kur u mendua për ndonjë tjetër rikthim, Dritës iu vështirësuan punët pasi Ajzeraj u ndëshkua me karton të kuq, shkaku i dy kartonëve të verdhë.
Gjilani krejt në fund mbeti me dy lojtar më pak pasi Dajan Shehi dhe Edison Kqiku morën karton të kuq si pasojë e disa përleshjeve.
Drita qëndron në pozitën e tretë me 50 pikë, dy më pak se lideri Ballkani derisa Gjilani renditet në pozitën e shtatë me 26 sosh, shkruan nacionale.
Në anën tjetër Prishtina është ndalur në një barazim pa gola në udhëtim te Fushë Kosova.
Mysafirët e kishin më të vështirë të dominonin shkaku që ishin me një lojtar më pak që nga minuta e 30-të, pasi portieri Ardit Nika u ndëshkua me të kuq.
Loja ishte e baraspeshuar nga të dy palët por që iu mungoi finalizimi i aksioneve.
Prishtina zë pozitën e pestë me 38 pikë derisa Fushë Kosova në vendin e parafundit me 26 sosh.
Në anën tjetër, Dukagjini me mund ka triumfuar në shtëpi ndaj Feronikelit ’74 me rezultat minimal 1:0.
Heroi i vendasve ishte Altin Mërlaku që shënoi golin e fitores pas një aksioni të shpejtë.
Nikli ’74 gjithashtu kishte disa mundësi ku mund ta dënonte skuadrën e Dallkut, por si finalizoi aksionet.
Kësisoj, Dukagjini renditet në pozitën e gjashtë me 34 pikë derisa Feronikeli ’74 qëndron në vendin e tetë me 26 sosh.