Sivjet më shumë investime të huaja direkte e para të dërguara nga diaspora

Sivjet më shumë investime të huaja direkte e para të dërguara nga diaspora

Investimet e huaja direkte dhe paratë e dërguara nga mërgata, kanë shënuar rritje gjatë këtij viti.

Nga Banka Qendrore e Kosovës i kanë thënë RTK-së se investimet e huaja direkte në Kosovë deri në fund të majit 2024 ishin 341.22 milionë euro, një rritje prej 31.02 milionë euro, krahasuar me periudhën janar-maj 2023.

Ndërsa sipas BQK-së, vlera preliminare e remitencave deri në qershor ka shkuar në 632.67 milionë euro.

“Për sa i përket periudhës janar-qershor 2023, shuma e tyre ishte 627.41 milionë euro, pra ka një rritje prej 5.27 milionë euro. Lidhur me kanalet e dërgesave, deri në qershor 2024, prurjet më të mëdha kanë qenë përmes IFJB-ve me 391.96 milionë euro, pasuar nga kanalet tjera me 147.13 milionë euro dhe bankat komerciale me 93.58 milionë euro”, kanë deklaruar nga BQK.

Mërgata nga Gjermania prinë për numrin më të madh të dërgesave të parave.

“Sa i përket vendit të origjinës së dërgesave të remitencave deri në muajin maj 2024, prinë Gjermania me 37.51% të totalit të të gjithë dërgesave nga diaspora, Zvicra me 18.37%, SHBA me 7.46%, Italia me 5.54%, Austria me 4.66%, Belgjika me 3.94%, Franca me 3.56%, Mbretëria e Bashkuar me 2.40% dhe vendet tjera me 16.57%”, kanë bërë të ditur tutje nga BQK, raporton rtk.

Share This