Simeone thotë se Atletico synon trofeun e Champions League

Simeone thotë se Atletico synon trofeun e Champions League

Atletico Madrid synon që në këtë edicion ta fitojë trofeun e Champions League, ka thënë trajneri i skuadrës spanjolle, Diego Simeone, në konferencën për shtyp para ndeshjes së së martës kundër Bayer Leverkusen.

“Do të konkurrojmë me objektivin tonë në mendje. Klubi nuk e ka fituar kurrë Champions League dhe synimi ynë është të arrijmë atë finale, që është aq e dëshiruar dhe e çmuar nga ne”, është shprehur Simeone.

Atletico Madrid, që sezonin e kaluar kishte arritur deri në çerekfinale, është e vetmja skuadër që ka luajtur në tri finale të Champions League pa e ngritur trofeun. Dy prej këtyre humbjeve kanë ardhur nga rivali i qytetit, Real Madrid,  në vitet 2014 dhe 2016, kur skuadra drejtohej po nga Simeone.

Përballë madrilenëve do të jetë Bayer Leverkusen, ekipi i drejtuar nga Xabi Alonso, i cili renditet i katërti në tabelën e Champions League me trembëdhjetë pikë pas gjashtë ndeshjeve. Nga ana tjetër, Atletico renditet në vendin e njëmbëdhjetë me një pikë më pak.

Tekniku argjentinas ka vlerësuar skuadren gjermane që nën drejtimin e trajnerit të ri spanjoll ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, duke fituar titullin e parë në Bundesliga.

“Xabi po bën një punë të shkëlqyer, siç tregoi sezonin e kaluar dhe është në rrugë të mbarë për ta përsëritur. Ai ka një referencë për mënyrën se si e sheh futbollin nga qendra e fushës, që është vendi ku duket më së miri”, ka thënë Simeone.

Share This