Simeone beson te përmbysja e Real Madrid

Simeone beson te përmbysja e Real Madrid

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka shprehur besim të plotë se skuadra e tij mund ta përmbysë disavantazhin e një goli ndaj Real Madrid në ndeshjen e kthimit të 1/8 të Champions League, e cila zhvillohet të mërkurën në “Wanda Metropolitano”.

Pas humbjes 2-1 në “Santiago Bernabeu” javën e kaluar, trajneri argjentinas është i bindur se skuadra e tij ka potencialin për ta përmbysur rezultatin dhe për të siguruar kualifikimin në çerekfinale.

“Besoj te lojtarët e mi, kam besim te ky ekip”, ka deklaruar Simeone në konferencën për shtyp të martën. “E kuptoj plotësisht shpirtin e tyre dhe nuk kam asnjë dyshim se do të luftojmë për të mbetur në Champions League. Objektivi ynë është finalja”.

Simeone e ka pranuar se ndeshja nuk do të jetë e lehtë dhe se skuadra duhet të menaxhojë momentet e vështira që mund të ndodhin.

“Futbolli ofron skenarë të ndryshëm gjatë ndeshjes. Do të përballemi me momente të vështira… Qetësia, qartësia dhe cilësia e lojtarëve do të jenë vendimtare”, ka thënë ai.

Simeone ka theksuar se vetëm mbështetja nga tribuna nuk do të mjaftojë për ta fituar ndeshjen.

“Tifozët tanë do të na shtyjnë përpara, por ajo që ndodh në fushë është vendimtare. Nuk mund të fitojmë vetëm falë atmosferës në tribuna, duhet të luajmë një ndeshje të madhe”, është shprehur ai.

Trajneri argjentinas u ka dhënë një mesazh edhe lojtarëve të rinj që do të përjetojnë për herë të parë një ndeshje kaq të rëndësishme.

“Lojtarët e rinj duhet të pyesin veten nëse ndonjëherë e kanë imagjinuar të luajnë në këto ndeshje. Për shumicën, përgjigjja do të ishte jo. Ky është momenti më i bukur për ta, sepse po fitojnë përvojë në sfida të tilla”, ka thënë ai.

Simeone ka folur edhe për rivalin e tij në stol, Carlo Ancelotti, duke pranuar se italiani ka një përvojë dhe një cilësi më të lartë si trajner.

“Karakteristikat e kundërshtarit, me lojtarë si Vinicius Jr dhe Mbappe, e bëjnë lojën e tyre shumë vertikale… Ndërsa ne jemi një ekip kolektiv që mund të alternojë lojën e lartë, të ulët, me dhe pa zotërimin e topit”, është shprehur ai.

Duke kujtuar përvojën e tij në Itali, Simeone nuk ka ngurruar ta vlerësojë Ancelotti.

“Kam kaluar shumë kohë në Itali dhe përvoja në futbollin italian ndoshta është e ngjashme… Por është e qartë që Carlo Ancelotti është shumë më i mirë se unë”, ka thënë ai.

Share This