Silvinjo për ndeshjen me Letoninë: E vështirë, por shumë e rëndësishme

Silvinjo për ndeshjen me Letoninë: E vështirë, por shumë e rëndësishme

Kombëtarja shqiptare do të luajë të martën ndeshjen e radhës ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Kuqezinjtë mbërritën të dielën në Riga dhe sot do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore përpara takimit të së martës.

Në prag të kësaj sfide, Silvinjo është shprehur: “Ndeshja e dytë është gjithmonë e vështirë për mënyrën e menaxhimit por dhe të rikuperimit të skuadrës. Sigurisht që ne nuk e kemi vendosur për formacionin, kemi një stërvitje të lehtë tani. Kemi një avantazh, kemi mundësi për të zgjedhur lojtarë për pozicione të ndryshme. Manaj? E njoh që nga 2014 kur ishte te Interi. Ka shumë personalitet. Megjithatë përgjegjësia është e imja, jam unë ai që vendos se cili do të gjuajë penalltitë”.

Për Letoninë – “Është një ekip fizik. Ka lojtarë të fortë dhe të gjatë, që japin centimetra në fushë. Mund të luajnë me skema të ndryshme: 3-5-2, 3-4-3. Në një lloj mënyre, është një ekip që luan një lloj futbolli të kodifikuar. Ka një trajner italian, kanë një metodë të tyre specifike se si e organizojnë ekipin në fushë. Ka dy – tre lojtarë të cilët janë të shpejtë dhe të majtë, që mund të jenë funksionalë për ekipin. Është një ndeshje e vështirë, por shumë e rëndësishme”.

“Për zëvendësuesin e Gjimshitit, do të shikojmë, kemi dy apo tre alternativa, do të shikojmë. Është pak e vështirë kur ndeshja e radhës vjen pas dy ditësh, po të kishim më shumë kohë do të kishim më shumë mundësi zgjedhja. Do të shikojmë pas përfundimit të stërvitjes.

Për Bajramin, është një lojtar që ka luajtur me ekipet e moshave. Luan me këmbën e majtë dhe ka forcë fizike shumë të mirë, te Benfika po aktivizohet pak më shumë. Në të ardhmen është një opsion shumë i mirë.

Për Mitajn, është një lojtar shumë teknik, i jep ekuilibër skuadrës. Rrugëtimi i një lojtari në Kombëtare është i tillë që nuk  ke kohën e duhur për ti provuar në pozicione të ndryshme. E bën shumë mirë rolin e mbrojtësit të majtë, është një mbrojtës i majtë, i jep skuadrës ekuilibër, bën shumë mirë te ne dhe te klubi ku ai luan. Do vazhdojë në atë pozicion për momentin”.

Share This