Silvinho nuk duhet ta llogarisë, Pochettino: Rikthimi i Brojës në fushë do të shihet pas ndeshjeve të kombëtareve
Pritej që Armando Broja i cili thuajse ka lënë pas plotësisht dëmtimin e rëndë të pësuar në dhjetor të vitit të kaluar, të grumbullohej me skuadrën e Chelsea që në para-sezon, por një e gjë e tillë nuk ndodhi.
Ai po ashtu nuk është grumbulluar me skuadrën as në 3 ndeshjet e para të Premier League, ndërsa u mendua se do t’i jepej shansi ditën e nesërme, ku Chelsea do të përballet me një kundërshtar inferior në EFL Cup, mirëpo ditën e sotme, tekniku Pochettino tha se kjo nuk do të ndodhë.
Madje ai shtoi, se as në fundjavë një e tillë nuk do të ndodhë, por për yllin “kuqezi” do të pritet të shihet pas ndeshjeve të kombëtareve.
Tanimë shanset që ai të jetë pjesë e listës së Silvinjos janë “0”, në dy ndeshjet më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve për kombëtaren tonë, përballë Çekisë dhe Polonisë.
Edhe pse prej ditësh Broja është bashkuar në stërvitje me ekipin, stafi nuk dëshiron të marrë përsipër asnjë risk, duke pritur momentin e duhur që ai të zbresë në fushë.