
Si po i përgjigjen liderët evropianë planit të Trump për Gazën
Liderët botërorë po përpiqen t`i përgjigjen planit të propozuar të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë përsipër çështjen e Gazës.
CNN përzgjodhi reagimet e disa liderëve:
• Franca: Vendi “përsërit kundërshtimin e tij ndaj çdo zhvendosjeje të detyruar” të palestinezëve, tha një zëdhënës i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Zëdhënësi paralajmëroi se çdo zhvendosje e detyruar do të përbënte një “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, një sulm ndaj aspiratave legjitime të palestinezëve” dhe do të provonte një “pengesë të madhe për zgjidhjen me dy shtete”.
• Gjermani: Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, hodhi poshtë planin e SHBA-së, duke thënë se Gaza “ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor – i përket palestinezëve”. Baerbock tha të mërkurën se “dëbimi i popullatës civile palestineze nga Gaza, jo vetëm që do të ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, por gjithashtu do të çonte në vuajtje të reja dhe urrejtje të re”.
• Spanjë: “Dua të jem shumë i qartë për këtë: Gaza është toka e palestinezëve të Gazës dhe ata duhet të qëndrojnë në Gaza,” citoi Reuters të ketë thënë ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares Bueno, të mërkurën në mëngjes.
• MB: Ministri i Jashtëm David Lammy, duke folur në Dhomën e Komunave, të mërkurën, tha se “Donald Trump ka të drejtë” që Gaza është shkatërruar dhe “është e shtrirë në rrënoja”, raportoi Reuters. Por, ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka qenë “gjithmonë e qartë në besimin tonë se ne duhet të kërkojmë dy shtete. Më vete, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se ai besonte se armëpushimi duhej të mbahej dhe palestinezët “duhet të lejohen në shtëpi. Ata duhet të lejohen të rindërtohen dhe ne duhet të jemi me ta në atë rindërtim në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete”. /rtk/