“Si në çdo ndeshje futemi për fitore”, Ballkani e pret me entuziazëm përballjen me Dinamo Zagrebin
Kampioni i Kosovës Ballkani kërkon fitore ndaj Dinamo Zagrebit, pavarësisht se janë në dijeni që nuk do të jetë aspak e lehtë, kështu deklaruan për Gazetën Nacionale mbrojtësi Armend Thaqi dhe kapiteni Edvin Kuc.
“Xhebrailat” ishin të pafat në ndeshjen hapëse të grupeve në Ligën e Konferencës, duke u mposhtur nga Viktoria Plzen edhe pse luajtën më mirë në Çeki.
Për Nacionalen para ndeshjes ndaj gjigantit kroat, mbrojtësi më i mirë në dekadën e fundit të Superligës së Kosovës Thaqi deklaroi se pret një përballje të vështirë por është i sigurt se lojtarët do të jep gjithçka.
“Është ndeshje shumë e vështirë sepse dihet skuadra e Dinamos çfarë kualiteti dhe force ka. E dimë që është favorite i grupit, na pret një 90 minutësh i vështirë dhe shumë për të luftuar sepse nuk do të dorëzohemi në asnjë moment. Do të japim gjithçka nga vetja te enjten mbrëma”.
Thaqi e pranoi se Ballkani e ka lënë pas atë humbje ndaj Plzenit, ku brenda skuadrës atmosfera është fenomenale dhe që përgatitjet kanë ecur për mrekulli.
“Jemi në një moment më të mirë se në ndeshjen e kaluar dhe atmosfera është fenomenale tek të gjithë. Jemi duke u përgatitur maksimalisht dhe do të bëjmë gjithçka që të vazhdojmë me paraqitje siç kemi bërë deri sot”.
“Kur luan kundër këtyre skuadrave të këtij niveli nuk mundesh assesi me thënë që do të futemi për një rezultat, apo jemi të kënaqur me një barazim ose paraqitje të mirë. Siç thashë do të japim gjithçka që të vazhdojmë ritmin që kemi sepse jemi rritur në aspektin e nivelit si dhe përvojës”, tha ish ylli i Prishtinës.
Ndërkohë, kapiteni Edvin Kuc që së fundmi edhe u ftua nga kombëtarja e Malit të Zi për Nacionalen u shpreh se Dinamo është favoriti për ta kaluar grupin, mirëpo shpreson që t’iu kthehet fati që s’e kishin ndaj Plzenit.
“Në këtë nivel të gjitha ndeshjet janë të vështira, secila nga skuadrat kanë histori të pasur me traditë. Në mendimin tim, Dinamo është favoriti i grupit por kjo s’do të thotë se ne nuk mund të luajmë kundër tyre. Jemi në dijeni të kualitetit që kemi, e respektojmë Dinamon por veten më shumë”.
“Nuk kishim fat kundër Viktoria Plzen, pranuam një gol pas një devijimi. Merituam një rezultat pozitiv në atë ndeshje, shpresoj që ky fat të na kthehet në ndeshjen e ardhshme”.
Ndër të tjera, Kuc shtoi se edhe ndaj Dinamos do të luajnë për fitore ashtu siç bëjnë në çdo takim.
“Luajmë çdo lojë për fitore, asgjë s’është e garantuar në futboll, gjëja e vetme që mund të premtojmë është se do të japim më të mirën dhe me ndihmën e tifozëve mund të arrijmë rezultat pozitiv”.
Për fund, kujtojmë se përballja mes Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.