Shukri Buja në Hagë e vazhdon dëshminë e tij për të katërtën ditë

Shukri Buja në Hagë e vazhdon dëshminë e tij për të katërtën ditë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në seancën e sotme vazhdon për të katrën ditë, dëshminë e tij, Shukri Buja.

Të mërkurën, Shukri Buja është përballur me prokurorinë e Gjykatës Speciales në Hagë. Buja ka thënë se në UÇK nuk ka pasur as gjykata as organe të hetuesisë. Këtë përgjigje ai e dha pasi u pyet nga prokurori, James Pace se nëse ndonjë ushtar i UÇK-së në Zonën e Nerodimes ishte hetuar nga UÇK-ja për mënyrën e trajtimit të civilëve.

Për pak minuta seanca u mbyll për publikun derisa prokurori la të kuptohet se do të diskutohet për ndalimin e një personi nga UÇK.

Mirëpo, Buja u pyet edhe rreth një dokumenti ku pretendohej se dëshmitari ka thënë se personat që janë arrestuar nuk e kanë ditur se ku dërgoheshin, por që ai i ka orientuar për në Kleçkë. Buja në këtë rast tha se e ka sqaruar deklaratën e 2005-s, pasi nuk ka pasur arrestime, por këtë fjalë e ka përdorur hetuesi.

Më pas dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e Luka Mishetiqit, avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, i cili e ka pyetur Bujën prej themelimit të UÇK-së e caktimit të komandantëve të zonave. Në këtë pjesë ai u pyet edhe nëse kishte marrë urdhra nga Hashim Thaçi, për çka dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

Buja po ashtu ka thënë se luftimet në mes të UÇK-së dhe forcave serbe kishin përfunduar më 10 qershor 1999 ndërsa më 12 qershor kishte nisur komunikimi dhe bashkëpunimi me forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pasi u pyet nëse ato kanë vazhduar edhe më tej.

Dëshmitari ka thënë se çmilitarizimi i UÇK-së ka ndodhur sipas marrëveshjes porse ka pasur ushtarë të cilët kanë kundërshtuar dorëzimin e armëve dhe uniformës derisa shtoi se transformimi i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës ka ndodhur sipas marrëveshjes me KFOR-in, raporton rtk.

Share This