Shtyhet shpallja e aktgjykimit ndaj Trumpit deri pas zgjedhjeve
Shpallja e aktgjykimit kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në rastin penal për blerjen e heshtjes, është shtyrë deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Gjykatësi Juan Merchan tha të premten se e ka shtyrë shqiptimin e dënimit deri më 26 nëntor, ndër të tjera, për shkak të “kornizës së veçantë kohore në të cilën kjo çështje gjen veten”.
Avokatët e Trumpit, kandidatit republikan për president, kanë përdorur disa manovra ligjore për ta shtyrë shpalljen e aktvendimit, i cili ishte paraparë për 18 shtator.
Trumpi u shpall fajtor në maj nga një gjykatë në Nju Jork për të gjitha 34 akuzat me të cilat përballej për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë, duke u bërë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.
Në vendimin e tij të premten, gjykatësi Merchan shkroi se rasti i Trumpit kërkon “që seanca për shqiptimin e dënimit të jetë plotësisht e përqendruar në aktgjykimin e jurisë”.
Trump mund të dënohet deri me katër vjet burgim, por gjykatësi Merchan e ka pushtetin për ta dënuar atë edhe me gjobë, dënim me kusht, apo dënim të shkurtër me burgim.
Ai e ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë dhe e ka cilësuar gjykimin ndaj tij si të “turpshëm”.
Trumpi u shpall fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.
Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.
Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan. /REL