Shtrenjtohen nafta e benzina

Shtrenjtohen nafta e benzina

Nafta dhe benzina janë shtrenjtuar sërish në Kosovë, ndërsa çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar. Rritja vjen në një kohë të pasigurive të reja në tregjet ndërkombëtare të naftës.

Çmimi i naftës në Kosovë është rritur sërish, duke arritur në 1.70 euro për litër, tre centë më shumë se një ditë më parë, sipas çmimeve të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Edhe benzina ka shënuar rritje të lehtë. Një litër aktualisht kushton 1.48 euro, krahasuar me 1.47 euro sa ishte të mërkurën. Ndërkohë, çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar, në 0.60 euro për litër.

Kjo rritje vjen në një periudhë kur tregjet ndërkombëtare të naftës po përballen me pasiguri të reja pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme dhe mbylljes së sërishme të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore për transportin e naftës në botë.

Në Kosovë, çmimi më i lartë i naftës që nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme ishte regjistruar më 9 prill, kur një litër kishte arritur në 1.91 euro.

Pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, çmimet ndërkombëtare kishin nisur të bien, por tensionet e reja kanë rikthyer presionin mbi tregun e karburanteve.

Share This