Shtetet e Gjirit thirrje SHBA-ve: Ndaloni Izraelin të bombardojë vendet e naftës në Iran

Shtetet e Gjirit thirrje SHBA-ve: Ndaloni Izraelin të bombardojë vendet e naftës në Iran

Shtetet e Gjirit po lobojnë në Uashington për të ndaluar Izraelin që të sulmojë vendet e naftës në Iran. Ata kanë ngritur shqetësimin se objektet e tyre të naftës mund të vihen nën sulmet izraelite dhe ato iraniane nëse konflikti përshkallëzohet.

Si pjesë e përpjekjeve të tyre për të shmangur sulmet ndaj vendeve të naftës, shtetet e Gjirit, duke përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin refuzojnë gjithashtu të lejojnë Izraelin të fluturojë mbi hapësirën e tyre ajrore për çdo sulm ndaj Iranit dhe këtë ia kanë përcjellë edhe Uashingtonit.

Nga ana e tij, Izraeli ka premtuar se Irani do të paguajë për sulmin e tij raketor javën e kaluar, ndërsa Teherani ka thënë se çdo hakmarrje do të përballet me shkatërrim të madh, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në rajon që mund të tërheqë edhe vetë Shtetet e Bashkuara.

Lëvizjet e shteteve të Gjirit vijnë pas një shtytjeje diplomatike nga Irani shiit jo-arab për të bindur fqinjët e tij sunitë të Gjirit që të përdorin ndikimin e tyre me Uashingtonin mes shqetësimeve në rritje që Izraeli mund të synojë objektet e prodhimit të naftës të Iranit.

Gjatë takimeve të kësaj jave, Irani paralajmëroi Arabinë Saudite se nuk mund të garantonte sigurinë e objekteve të naftës të mbretërisë së Gjirit, nëse Izraelit i jepej ndonjë ndihmë në kryerjen e një sulmi, ka bërë të ditur për Reuters një zyrtar i lartë iranian dhe një diplomat iranian.

Ali Shihabi, një analist saudit i afërt me oborrin mbretëror saudit, tha se “iranianët kanë deklaruar se nëse shtetet e Gjirit hapin hapësirën e tyre ajrore ndaj Izraelit, ky do të ishte një akt lufte”

Diplomati tha se Teherani i kishte dërguar një mesazh të qartë Riadit se aleatët e tij në vende si Iraku apo Jemeni mund të përgjigjen nëse do të kishte ndonjë mbështetje rajonale për Izraelin kundër Iranit.

Një sulm i mundshëm izraelit ishte fokusi i bisedimeve të mërkurën midis sundimtarit de fakto saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman dhe ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araqchi, i cili ishte në një turne në vendet e Gjirit për të marrë mbështetje. /rtsh

Share This