Shtëpia Muze e Kurpalëve merr jetë falë Bonusit të Rijetësimit
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore fton të vizitohet Shtëpia Muze e Kurpalëve dhe të përjetohet historia që ajo rrëfen.
Tashmë, shtëpia Muze e Kurpalëve, një pasuri e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore, mori jetë falë programit Bonusi i Rijetësimit për restaurimin dhe rijetësimin e monumenteve historike.
Kjo kullë e lashtë, me vlera të jashtëzakonshme arkitektonike dhe historike, është rikthyer në shkëlqimin e saj origjinal për të kujtuar historinë, traditat dhe identitetin tonë kombëtar. Inaugurimi i saj, simbolizon frymën e unitetit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke e bërë këtë monument një hapësirë të hapur për vizitorë, studiues dhe artdashës.
“Kulla e Isa Kurpalit” iu shtua një vit më parë listës së trashëgimisë kulturore materiale të Qarkut Kukës dhe pasurive kulturore të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.
Bazuar në klasifikimin si pasuri kulturore, Kulla e Isa Kurpalit, është ndërtuar në shekullin XIX. Objekti në fjalë është një banesë me një arkitekturë karakteristike të zones, me vlera historike. Kulla është një ndërtim 3-katësh me muraturë guri.
Kati i parë ishte vendi i bagëtive, kati i dytë ishin ambientet e gatimit ku kanë qenë të ndërtuar qylerë për fjetjen e çifteve të reja, ndërsa në katin e sipërm ishin ambientet e pritjes së miqve.
Kulla fortifikatë e Kurpalëve, u ndërtua me qëllim në pikën strategjike të Qafës së Prushit, aty mes malesh ku nuk gjendej asnjë fortifikim tjetër. Projektimin e saj e bëri vetë strategu ushtarak Sulejman Vokshi, si një nevojë e domosdoshme e vetëmbrojtjes popullore, thuhet në analet historike. /atsh/