
Shtëpia e Bardhë sqaron se Trump nuk foli me Putinin, por me të dërguarin e tij
Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se ka qenë i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, ai që ka folur me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe jo presidentin amerikan Donald Trump.
Konfuzioni u shkaktua nga postimi i Trump në mediat sociale më herët, në të cilin ai vlerësoi diskutimet me liderin rus dhe tha “Unë i kam kërkuar fuqishëm Presidentit Putin”, duke e bërë të tingëllojë sikur ai foli personalisht me Putinin.
Po ashtu, një element tjetër i postimit origjinal të Trump, shkruan The Guardian, është pjesa ku thotë se “mijëra trupa ukrainase janë të rrethuar plotësisht nga ushtria ruse” në rajonin e Kursk, për të cilën ka pasë një kundërshtim të fortë nga burimet ukrainase dhe analistët ushtarakë që e përshkruan atë si jo të saktë.
Në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, Donald Trump lavdëroi “diskutimet e mira dhe produktive” midis Rusisë dhe SHBA-së dje.
Megjithatë, ai paralajmëron se mijëra trupa ukrainase janë “të rrethuar plotësisht” nga ushtria ruse, duke thënë se ata janë në një “pozitë shumë të keqe dhe të cenueshme”.
Ai gjithashtu zbuloi se i kishte kërkuar Putinit “që t’u kursehej jeta”, duke shtuar: “Kjo do të ishte një masakër e tmerrshme” në një shkallë “të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”.