Shtanget Bayern Munich, lëndohet edhe Goretzka
Pavarësisht fitoreve, te “bavarezët” e Bayern Munich duket jo gjithçka po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme, duke parë dhe dëmtimet e njëpasnjëshme të futbollistëve, ku më i fundit është ai i “katalizatorit” të mesfushës, Leon Goretzka.
Klubi bëri të ditur se gjatë ndeshjes ndaj Mainz, ai kishte pësuar frakturë në dorën e majtë dhe për këtë arsye, ishte dashur që t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale dhe se gjithçka kishte shkuar në rregull e lojtari do të niste procesin e riaftësimit.
Sipas raportimeve më të fundit të prestigjiozes gjermane, “BILD”, Goretzka do të mungojë për të paktën 3 javë nga “bavarezët”, duke u kthyer në dispozicion vetëm pas pauzës së kombëtareve në muajin nëntor, duke humbur dy përballjet ndaj Galatasaray në Champions League, ate ndaj Saarbrucken në Kupë dhe përballjet ndaj Darmstadt e Borussia Dortmund në Bundesliga. /abc/