DOHA – Bisedimet për armëpushim në Gazë shënojnë progres

DOHA – Bisedimet për armëpushim në Gazë shënojnë progres

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani tha sot se ka patur progres në përpjekjet për të arritur një armëpushim të ri në Gazë, por një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund luftës nuk mund të arrihet ende, sipas “Reuters”.

“Të enjten kemi parë njëfarë progresi krahasuar me takimet e tjera, megjithatë duhet të gjejmë një përgjigje për pyetjen përfundimtare: si t’i japim fund kësaj lufte. Kjo është pika kyçe e të gjitha negociatave”, tha Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i cili shërben edhe si ministër i Jashtëm.

“Drejtori i Mossadit, David Barnea, udhëtoi të enjten në Doha – për të takuar Sheikh Mohammedin mes përpjekjeve për të arritur një armëpushim të ri në Gazë”, raportoi “Axios” javën e kaluar.

Sheikh Mohammed nuk tha se cilët elementë të bisedimeve për armëpushim kishin përparuar ditët e fundit, por tha se Hamasi dhe Izraeli kanë ende mosmarrëveshje për qëllimin kryesor të negociatave.

Ai tha se grupi militant ishte i gatshëm të kthente të gjithë pengjet e mbetura izraelite – nëse Izraeli i jepte fund luftës në Gazë.

“Por, Izraeli kërkon që Hamasi t’i lirojë pengjet e mbetura pa ofruar një vizion të qartë për përfundimin e luftës|, tha ai.

“Kur nuk ke një objektiv të përbashkët, një qëllim të përbashkët midis palëve, besoj se mundësitë për t’i dhënë fund luftës bëhen shumë të pakta”, tha Sheikh Mohammed në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan.

Fidan tha se bisedimet që zyrtarët turq kanë zhvilluar me Hamasin kanë treguar se grupi do të ishte më i hapur për një marrëveshje që shkon përtej një armëpushimi në Gazë dhe që synon një zgjidhje të qëndrueshme për krizën me Izraelin, duke përfshirë një zgjidhje me dy shtete.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij në Gazë më 18 mars – pasi armëpushimi i janarit dështoi – duke thënë se do të vazhdonte të ushtronte presion mbi Hamasin derisa të lironte pengjet e mbetura – që mbaheshin ende në enklavë. Besohet se deri në 24 prej tyre janë ende gjallë.

“Lufta në Gazë filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi vdekjen e 1 200 personave – ndërsa 251 të tjerë u morën peng dhe mbahen në Gazë”, sipas të dhënave izraelite.

“Që atëherë, ofensiva e Izraelit në enklavë ka shkaktuar vdekjen e mbi 51 400 banorëve”, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë. /atsh/

Share This