Shqipëria zhvillon seancën e parë stërvitore në Austri, vjen edhe Seferi

Shqipëria zhvillon seancën e parë stërvitore në Austri, vjen edhe Seferi

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjen për Euro 2024 me kuqezinjtë që kanë zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore pas mbërritjes në Grac një ditë më parë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvinho dhe stafi teknik kanë punuar me grupin për më shumë se një orë me ngarkesë të plotë dhe i gjithë proces stërvitor ka shkuar normalisht.

FSHF bën me dije se me grupin është bashkuar në këtë seancë edhe Taulant Seferi, i cili u stërvit rregullisht dhe gëzon gjendje të mirë fizike, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës.

Ndërkohë, ekipi do të vijojë me përgatitjet e fundit nesër në prag të miqësores së parë të qershorit, asaj ndaj Lihtenshtejnit, që zhvillohet më datë 3 qershor, duke nisur nga ora 20:00 në stadiumin “Haladas” të Hungarisë.

Kuqezinjve sot do t’i bashkohet edhe mesfushori Amir Abrashi, ndërkohë që i fundit do të vijë në grumbullim nesër Berat Gjimshiti pasi të ketë përfunduar angazhimet e tij me klubin e Atalantës.

Share This