Shqipëria, një vrasëse gjigantësh
David përballë golias! E kemi thënë apo dëgjuar me qindra herë për ekipin modest kuqezi, kryesisht duke pasur në mendje ndeshjet e paharruara me Gjermaninë Perëndimore, duke nisur që nga eliminimi i papritur i nënkmapionëve të botës nga kampionati evropian 1968.
Barazimi 0-0 në Tiranë më 17 dhjetor 1967, cilësuar nga UEFA si ndeshja e shekullit për Shqipërinë, la Gjermaninë jashtë finaleve, hera e parë dhe e fundit deri tani që ajo dështon në një fushatë eliminatore. Iu afruam frikshëm edhe më 1983, me ndeshjen e famshme në Zarbryken, kur goli i Genc Tomorit la në ankthin e eliminimit deri në minutat e fundit gjermanët, kampionët të Evropës e nënkampionë të botës. E njëjta histori edhe më 1997, me të famshmin 4-3, me golin e fitores të shënuar vetëm në shtesë, ndoshta edhe për faj të euforisë së tepruar të kuqezinjve që i kishin terrorizuar në Kaizerslautern deri në ato momente.
Vite më pas, ajo fitore e madhe kundër Greqisë, ndoshta jo një gjigant futbolli, por e sapokurorëzuar kampione e Evropës dhe e gjunjëzuar në Tiranë nga golat e Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt, që në fund i shkaktoi eliminimin nga botërori. Për të ardhur tek e mbrëmshmja, fitorja me Çekinë, një kundërshtar që, ashtu si Greqia, mund të mos gëzojë statusin e gjigantit, por është një skuadër që kurrë nuk ka munguar në fazat finale të evropianëve, ku ka shkuar deri në finale.
Veçse Shqipëria e sotme ka një ndryshim rrënjësor: Nuk mburret më se iu prishi punë të mëdhenjve, por krenohet që tashmë është një skuadër që shkon vetë në evropian.