“Shqipëria në kontekst”, Vengu: Rrëfim historik, udhëtim në kohë dhe hapësirë
Në Akademinë e Arteve u dha shfaqja “Shqipëria në kontekst”, një realizim emocional nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe aktrimi brilant i aktores, Ema Andrea.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ndoqi këtë shfaqje theksoi se ishte një rrëfim historik, udhëtim në kohë dhe hapësirë.
“Shqipëria në qendër të historisë, një popull i vogël me zemër të madhe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, të rinjtë shqiptarë ngritën zërin dhe armët për lirinë, duke u bërë simbol i rezistencës dhe i shpresës”, theksoi ai.
“Në Itali, Francë, në Poloni, në Britani, SHBA e kudo tjetër ku erërat e luftës frynin, shqiptarët ishin pjesë e një qëndrese globale për drejtësi dhe paqe”, nënvizoi Vengu.
“Rezistenca shqiptare e lidhur me kontekstin e ngjashëm të të rinjve në mbarë botën, një histori që duhet njohur dhe përkujtuar, për të nderuar ata që sakrifikuan për lirinë që sot gëzojmë”, u shpreh ministri.
“Rrëfim që e ndoqëm në Akademinë e Arteve në shfaqjen “Shqipëria në kontekst”, bashkë me miq e diplomatë nga Evropa dhe SHBA në një mbrëmje që kulmoi vitin e 80-vjetorit të Çlirimit”, u shpreh më tej Vengu. /atsh/