“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga “Syri i kaltër”
Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë vijon të jetë ndalesa e një numri të lartë turistësh edhe gjatë këtij sezoni veror.
Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës ”Shqipëria e bukur” ndau në rrjetet sociale pamje nga “Syri i kaltër”, ku të rinjtë lahen në ujërat e ftohta të burimit.
“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.
Ai është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror”, me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut.
Vitet e fundit “Syri i Kaltër” ka tërhequr shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës. /atsh/