Shqipëria çel sot grup-kapitullin e 2-të `Për tregun e brendshëm`

Shqipëria çel sot grup-kapitullin e 2-të `Për tregun e brendshëm`

Shqipëria do të çelë sot grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian `Tregu i Brendshëm`, ndërsa në Luksemburg është planifikuar të mbahet edhe Konferenca e katërt Ndërqeveritare me BE-në, për të diskutuar proceset radhës për integrimin e vendit në familjen europiane, siç njofton Këshilli Evropian.

Konferenca është planifikuar të organizohet në orën 18:00. Delegacionin shqiptar në këto bisedime e udhëheq kryeministri Edi Rama, së bashku me një grup ministrash, zëvendësministrash dhe drejtuesish të punës për kapitujt përkatës. Në konferencë do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos dhe Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE.

Kryeministri Rama u prit të hënën në Bruksel fillimisht nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.

Grupkapitulli II i negociatave me BE-në përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare  dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).

Ky zhvillim shënon një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në BE në qershor 2014.

Më 9 nëntor 2010, Komisioni Evropian dha opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Komisioni vlerësoi se përpara se negociatat e anëtarësimit të hapeshin zyrtarisht, Shqipërisë i duhej të arrinte një shkallë të nevojshme përputhshmërie me kriteret e anëtarësimit, veçanërisht për të përmbushur 12 prioritetet kryesore të identifikuara në opinion.

Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.

BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022.

Në tetor 2024 u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa konferenca e tretë u mbaj në 17 dhjetor të vitit që lamë pas. /rtsh/

Share This