
Shqipëria bën detyrën me Andorrën
Shqipëria bëri detyrën dhe e mbylli me fitore 3-0 kundër Andorrës ndeshjen e parë në shtëpi për kualifikueset e Botërorit 2026. Trajneri Silvinjo bëri katër ndryshime në formacionin që startoi kundër Anglisë në Uembli, duke nxjerrë një skuadër më sulmuese në Arenën Kombëtare. Asani, Bajrami, Ramadani dhe Uzuni u ulën në stol, për t’u zëvendësuar në fushë nga Broja, Manaj, Hoxha e Shehu.
Të vendosur për të marrë tri pikët, kuqezinjtë e nisën menjëherë furishëm në drejtim të portës mike, në kërkim të golit që nuk do të vononte. Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e nëntë, kur Asllani krosoi në zonë nga e djathta dhe aty Rey Manaj goditi fort me kokë dhe tundi rrjetën.
Start perfekt përballë një skuadre të mbyllur në mbrojtje e që përpiqet të ndalojë kundërshtarët me të gjitha mënyrat. Pas golit, kuqezinjtë vazhduan sulmet, me Brojën tepër aktiv sidomos nga e djathta, por pa krijuar ndonjë rast, deri në minutën e 19-të, kur vjen edhe goli i dytë, sërish nga Manaj. Broja kontrollon mirë një top të gjatë në adresë të tij, hyn në zonë dhe që nga fundorja pason te shoku i sulmit, që gjuan menjëherë me të djathtën, pa i lënë asnjë shans portierit.
2-0 dhe tashmë ndeshja është vënë në shinat e duhura për skuadrën e Silvinjos, që kërkon ta mbyllë çështjen e rezultatit që para pushimit, por pa mundur, edhe për shkak se disa aksione nuk mbyllen me pasimin apo gjuajtjen e duhur. Pas pushimit, kuqezinjtë e nisin edhe një herë fuqishëm dhe është Manaj në kërkim të golit të tretë, kur gjuan fort nga e djathta, në minutën e 47-të, por këtë herë pa gjetur kuadratin.
Më i saktë Laçi dy minuta më pas, por gjuajtja e tij shkon drejt e në duart e portierit Iker. Një tjetër rast i mirë vjen në minutën e 57-të, kur Asllani pason te Manaj në zonë, këtë herë gjuajtja e tij bllokohet nga mbrojtja. Në vazhdim loja fiket, luhet gjithmonë në gjysmëfushën mike por pa rrezikshmëri.
Silvinjo ndërhyn për të freskuar skuadrën. Në të 67-tën del Gjimshiti e hyn Kumbulla. Në minutën e 75-të, Pajaziti zëvendëson Laçin, ndërsa Broja, dukshëm i lodhur në pjesën e dytë për shkak të periudhës së gjatë jo aktive, i lë vendin Uzunit. Ky i fundit, vetëm tri minuta më pas, kërkon penallti për tërheqje nga fanella në zonë, por pa sukses.
Në të 85-tën gjuan Pajaziti, por me diagonalen e tij fiton vetëm goditje nga këndi. E teksa Shqipëria menaxhon avantazhin në pritje të vërshëllimës finale, në minutën e 92-të vjen edhe goli i Myrto Uzunit, që konfirmohet pas shqyrtimit nga VAR. Pa shumë shkëlqim, Shqipëria merr tri pikët dhe pret e qetë përballjen me rivalin kryesor të grupit, Serbinë, më 7 qershor, po në Arenën Kombëtare.