Shqipëri-Serbi, ‘Tifozat Kuq e Zi’ vijnë me mesazh të fortë

Shqipëri-Serbi, ‘Tifozat Kuq e Zi’ vijnë me mesazh të fortë

Teksa emocionet rriten gjithnjë e më shumë për përballjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në ‘Arenën Kombëtare’, tifo-grupi i kuqezinjve, ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë dhënë një mesazh të qartë dhe emocional.

“Mbështetja për Kombëtaren nuk ndalet asnjëherë”.

Edhe pse fizikisht nuk do të jenë në stadium, TKZ kanë paralajmëruar një mënyrë tjetër për të qenë afër Kombëtares.

Në një njoftim të publikuar të enjten, ata bëjnë të ditur se do të mblidhen në orën 19:00, në Lulishten “Vëllezërit Frashëri” përballë Piramidës, ku do të vendosin një ekran gjigant për të ndjekur së bashku ndeshjen.

“Pavarësisht se nuk do të jemi në stadium më 7 qershor, kur Shqipëria do të përballet me Serbinë, ne do të jemi aty pranë. Për ne nuk ka rëndësi prezenca në stadium, por do të jemi aty për Kombin,” thuhet në mesazhin e tyre.

Sipas këtij njoftimi, atmosfera pritet të jetë elektrizuese, me këngë patriotike, brohorima dhe një ndjenjë të thellë uniteti.

Nën moton “Nuk ka rëndësi ku jemi, por për kë jemi!”, tifozët kuqezi synojnë që ta kthejnë këtë ditë në një festë të madhe kombëtare.

Përballja Shqipëri–Serbi, e cila konsiderohet një nga sfidat më të rëndësishme për kombëtaren shqiptare të këtij cikli kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Share This