Shpresat për armëpushim zbehen ndërsa Izraeli bombardon Gazën dhe Libanin
Perspektivat për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe Hezbollahut po zbehen – ndërsa sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 64 njerëz në Rripin e Gazës dhe goditën periferitë jugore të Bejrutit, sipas Reuters.
Të dërguarit e SHBA-së u angazhuan për të siguruar armëpushime në të dy frontet përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA të martën e ardhshme.
“Por, Hamasi nuk favorizoi një armëpushim të përkohshëm”, njoftoi sot televizioni i tij Al-Aqsa Hamas.
“Propozimet e armëpushimit dështuan në përmbushjen e kushteve të tij – që parashikojnë që marrëveshja duhet t’i japë fund luftës 1-vjeçare në Gazë dhe të përfshijë një tërheqje të forcave izraelite nga atje”, tha ai.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se prioriteti i tij ishte të zbatonte sigurinë pavarësisht çdo presioni apo kufizimi.
Zyra e tij tha se ai ua transmetoi dje këtë mesazh edhe të dërguarve amerikanë Amos Hochstein dhe Brett McGurk në Izrael.
Izraeli ndërkohë ka vazhduar me ofensivën e tij ushtarake kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe Hezbollahut në Liban.
Mjekët në Gazë thanë se rreth 64 njerëz ishin vrarë dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm – në sulmet izraelite në qytetin Deir al-Balah, kampin Nuseirat dhe qytetin al-Zawayda, të gjitha në zonën qendrore dhe në jug të Gazës.
“Katërmbëdhjetë persona u vranë nga një sulm izraelit në portën e një shkolle që strehonte palestinezët e zhvendosur në Nuseirat”, sipas mjekëve në Spitalin Al-Awda të kampit.
“Ndërsa 10 persona të tjerë u vranë në një makinë në Khan Younis në jug të Gazës”, thanë mjekët.
Ushtria izraelite tha se trupat e saj kishin vrarë ata që i quajti “terroristë të armatosur” në Gazën qendrore dhe në zonën veriore të Jabalia.
Izraeli gjithashtu goditi periferitë jugore të Bejrutit sot në mëngjes me të paktën 10 sulme.
Ky ishte bombardimi i parë në zonë – dikur një zonë e populluar dhe bastion i Hezbollahut – në gati një javë.
Sulmet erdhën pasi Izraeli lëshoi urdhra evakuimi për 10 lagje të veçanta. /atsh/