Shpifjet mediatike në Kosovë dhe mosndëshkimi: Çka duhet të mësojmë nga “Rasti Trump”?!

Shpifjet mediatike në Kosovë dhe mosndëshkimi: Çka duhet të mësojmë nga “Rasti Trump”?!

Në SHBA, demokracia dhe liria e fjalës janë shtylla themelore të sistemit politik dhe shoqërisë.

Megjithatë, si çdo e drejtë tjetër, liria e fjalës ka kufizimet e saj, veçanërisht kur shndërrohet në shpifje apo dezinformim që dëmton reputacionin dhe integritetin e individëve.

Rasti i fundit mes televizionit të njohur amerikan ABC News dhe Donald Trump (ku ABC News ka rënë dakord t’i paguajë 15 milionë dollarë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për të zgjidhur një padi për shpifje, pasi prezantuesi i saj tha në mënyrë të rreme se ai ishte gjetur “përgjegjës për përdhunim”) na kujton se në shoqëri demokratike mediat mund të mbajnë përgjegjësi të rëndë për shpifjet dhe dezinformimin.

Në Kosovë, pavarësisht se kemi një sistem demokratik dhe lirinë e fjalës të garantuar me Kushtetutë, shpifjet nëpër media dhe portalet online janë bërë fenomen i përhapur, si në rastet politike ashtu edhe në sferat tjera. Mungesa e mekanizmave të fuqishëm për t’i adresuar këto raste bën që dëmi i shkaktuar ndaj individëve apo institucioneve të mbetet shpesh pa ndëshkim. Kjo problematikë bëhet edhe më evidente kur flasim për emisionet sportive dhe portalet që shpesh përdoren për sulme e fushata të motivuara nga grupe të caktuara.

Federata e Futbollit të Kosovës, si një nga institucionet më të rëndësishme sportive në vend, dhe kreu i saj Agim Ademi, janë shpesh viktima të një narrative të tillë të pakontrolluar.

Në emisionet sportive dhe portale, individë të vetëquajtur “analistë” shpesh bëjnë pretendime të pabazuara, duke goditur reputacionin e kreut të FFK-së dhe punën e këtij institucioni. Në shumicën e rasteve këto sulme nuk kanë bazë, por bëhen për interesa personale apo klanore që kërkojnë të minojnë stabilitetin e futbollit kosovar.

Shpifjet ndaj FFK-së shkojnë përtej kritikave konstruktive. E një nga arsyet kryesore pse shpifjet nuk ndëshkohen në Kosovë është mungesa e një kornize të fortë ligjore dhe vullneti për ta zbatuar atë. Ligji për shpifjet ekziston, por praktika tregon se ndjekja penale është e rrallë, ndërsa kompensimet financiare për dëmet morale janë minimale. Gjithashtu, mungesa e një etike profesionale në disa media dhe portalet online e thellon problemin.

Nëse Kosova dëshiron të përfitojë nga praktikat më të mira ndërkombëtare, rasti Trump duhet të jetë një mësim. Si në SHBA, edhe në Kosovë duhet të ketë përgjegjësi për ata që shpifin. Media pashmangshëm ka të drejtën e saj të kritikojë, por kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret për të shpifur apo shantazhuar.

Share This