Shorti në Hamburg, kuqezinjtë mund të shpresojnë për një short të favorshëm

Shorti në Hamburg, kuqezinjtë mund të shpresojnë për një short të favorshëm

Shqipëria fluturon drejt Gjermanisë dhe ëndrra është kthyer pothuajse në realitet.

Aq sa tani mund ta presim plot kërshëri mbrëmjen e 2 dhjetorit, dita kur do të hidhet shorti i fazës finale të Euro 2024.

Ceremonia do të zhvillohet në Elbphilarmonie të Hamburgut, një nga dhjetë qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet e evropianit. Në qytetin verior do të luhen katër ndeshje grupesh dhe një çerekfinale. Për fazën finale, do të jenë gjashtë grupe me nga katër skuadra. Kualifikohen për më tej dy të parat e çdo grupi dhe katër të tretat më të mira. Në hedhjen e shortit, skuadrat do të ndahen në katër vazo, sipas rankimit të bazuar në renditjen përfundimtare të kualifikueseve.

Gjermania do të jetë në vazon e parë bashkë me pesë vendet e parë të rankimit evropian, ndërsa tri skuadrat që kualifikohen nga playoffi do të jenë në vazon e katërt. Në rankimin e bazuar në kualifikuese nuk do të llogariten pikët e marra me skuadrat e renditura në vendin e gjashtë.

Grupi i Shqipërisë ka pesë skuadra dhe në këtë aspekt, dy ndeshjet e mbetura, me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, marrin rëndësi të veçantë, jo thjesht për kualifikimin, që është objektivi kryesor e që matematikisht nuk e kemi arritur ende.

Çdo vazo e mundshme më lart mund të sjellë një short më të mirë dhe me formulën e evropianit, Shqipëria mund të bëjë më mirë se në Francë 2016.

Share This