“Shkrihen akujt” me Gwangju, Jasir Asani rikthehet në fushë
Shkrihen akujt mes Jasir Asanit dhe klubit koreano-jugor Gwangju.
Tensionet e lidhura me merkaton e janarit, e lanë sulmuesin e Kombëtares Shqiptare në tribunë për plot 5 javë, megjithatë paqja tashmë është vendosur, me Asanin që u aktivizua për disa minuta në humbjen që Gwangju pësoi 2-1 në transfertën ndaj Gimcheon Sangmu.
Kjo ishte humbja e katërt radhazi për Gwangju, që nuk po kalon aspak moment të mirë dhe pikërisht për këtë arsye, trajnerit i duhej ndihma e Jasir Asanit, që u ul në stol për herë të parë që prej nisjes së kampionatit më 2 mars të këtij viti.
Sulmuesi kuqezi u aktivizua në minutën e 83-të të ndeshjes dhe nuk bëri dot asgjë për të ndryshuar rezultatin e saj, megjithatë lajm i mirë është rikthimi në fushë, teksa gjasat janë që duke nisur nga java e ardhshme, të marrë edhe një vend në formacionin titullar të skuadrës.
Jasir Asani ishte një nga protagonistët kryesorë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europianit Gjermani 2024, duke shënuar tre gola jo vetëm spektakolarë, por edhe me shumë peshë për kuqezinjtë.
Rikthimi në fushë është një lajm mjaft pozitiv edhe për Sylvinhon, pasi sulmuesi ka nevojë të marrë sa më shumë minuta, në mënyrë që të gjejë formën më të mirë fizike dhe sportive deri në nisje të Europianit të Gjermanisë, aty ky tifozët shqiptarë presin të tjera mrekulli nga “sallakja” e Jasir Asanit.