Shkodra shënon tjetër rekord vizitorësh
Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se Kalaja e Rozafës shënoi plot 127,538 vizitorë.
Ky tregues, mes të tjerash, tregon që ky sit mbetet një nga parqet arkeologjike më të vizituara në të gjithë Shqipërinë ndërsa shton përgjegjësitë për t’u kujdesur fort për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e për të vazhduar punë të bukura përpara për promovimin e turizmit në Shkodër përmes thesareve të trashëgimisë.
Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë, emri i së cilës vjen prej një legjende të lashtë. Kalaja është ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve e duke qëndruar krenare deri në ditët tona.
Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta mes tyre. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit. /atsh/