Shkodra Elektronike përgatit albumin pas Eurovisionit

Shkodra Elektronike përgatit albumin pas Eurovisionit

Kënga “Zjerm” që në momentet e para u kthye në një nga këngët më të pëlqyera për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar, duke dalë jashtë parashikimeve të dy artistëve shkodranë.

Ditë pas dite, klikimet e shumta, publiku dhe shkrimet në mediet më prestigjioze e ngritën këngën në klasifikimet më të larta, duke na bërë të gjithëve të besojmë së këtë herë jemi në Europë me një nga përfaqësimet më të denja.

Pavarësisht renditjes në vendin e 8-të, ishin pikët e publikut të cilat na dhanë këtë renditje përfundimtare.

Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca kanë vetëm mirënjohje për secilin që ka votuar këngën e tyre.

“Jemi shumë të gëzuar dhe i jemi shumë falënderues publikut që na ka votuar, sepse kemi qenë ndër të tretët a të katërtët me votën e publikut. Domethënë që e kemi një publik ‘fantastik’,” thekson Kola.

Tanimë që Edicioni 69 i Festivalit Europian të Këngës uli siparin edhe për këtë vit, dyshja premton se surprizat për fansat sapo kanë nisur.

“Më 23 maj do të dalë disku ynë në platformat digjitale, që është vazhdimësia e ‘Zjermit’. Titullin nuk e ka ‘Zjerm’, por ‘Shndrit’,” zbulon artisti nga Shkodra.

Në një garë ku ndjesitë shpesh vlejnë më shumë se pozicionet, “Zjerm” arriti atë që çdo artist ëndërron – të krijojë lidhje të fortë me publikun.

Dhe për Beatriçen e Kolën ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri në muzikë.

Share This