Shkodra: BE po tregohet tolerante me Serbinë
Njohësja e zhvillimeve politike, Magbule Shkodra, ka folur në RTK për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe për takimin mes kryeministrit kosovar Albin Kurti e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Shkodra u shpreh skeptike në mundësinë e arritjes së ndonjë rezultati nga ky takim, që do të mbahet më 26 qershor, në Bruksel. Sipas saj, do të mund të gjendet ndonjë zgjidhje e ndonjë problemi të vogël, duke aluduar në çështjen e dinarit, në çështjen e pronave, etj.
“Nuk pres që në këtë takim të ketë diçka pozitive, diçka esenciale, diçka të rëndësishme”, deklaroi Shkodra në ‘InfoPlus’, në RTK.
Ajo më tej shtoi se pritjet reale do të ishin që presionet kundrejt Serbisë të shtoheshin, teksa theksoi se sanksionet ndaj Kosovës ende nuk janë hequr.
Lidhur me reagimin BE-së kundrejt sjelljeve të Serbisë, Shkodra tha se është tejet i vonuar.
“BE është treguar plotësisht e padrejtë në raport me Kosovën dhe në njëfarë mënyre është treguar shumë tolerante ndaj Serbisë. Nëse analizohet në aspektin gjeopolitik, të gjithë e kemi ditur se pse po ndodhë kjo, por nuk është korrekte”, deklaroi Shkodra.