Shkëndija triumfon ndaj Vardar-it, ngecin Shkupi dhe Struga
Shkupi ngec në shtëpi ndaj Tikves në takimin e javës së 21-të të kampionatit maqedonas.
Ndonëse pati raste të shumta, skuadra shqiptare nuk mundi që të gjente rrugën drejt rrjetës në asnjë moment, me takimin që në fund u mbyll me barazimin 0-0.
Pas kësaj përballjeje, Shkupi vazhdon të kryesojë me 43 pikë, një më shumë se Struga e vendit të dytë dhe Shkëndija e vendit të tretë, teksa Tikves renditet në vend të tetë me 26 pikë.
Struga nga ana tjetër ngec po ashtu me barazim pa gola këtë javë.
Ndeshja Sileks-Struga u mbyll me barazimin 0-0, pavarësisht se skuadra shqiptare pati raste për të gjetur rrjetën, në fund nuk ia doli të kishte sukses.
Pas javës së 21-të Struga renditet në vend të dytë me 42 pikë, teksa Sileks në vend të katërt me 29 pikë.
Shkëndija triumfon me rezultatin 3-0 ndaj Vardar-it, një ndeshje që e dominoi të gjithën.
Ekipi shqiptar pati mundësinë që të zhbllokonte takimin në minutën e 23’, por Totre humbi penalltinë.
Megjithatë Çinari ia doli që të gjente rrugën drejt rrjetës në minutën e 34’ dhe më pas në minutën e 39’, duke bërë që Shkëndija ta mbyllte pjesën e parë me rezultatin 2-0.
Ndërsa Bruno Dita gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 54’, duke vulosur triumfin e ekipit të tij, transmeton SS.
Pas raundit të 21-të, Shkëndija renditet në vend të tretë me 42 pikë, po aq sa Struga e vendit të dytë, teksa Vardar-i renditet në vend të dhjetë me 21 pikë.