Shkelën rregullat e Premier League, skuadrës së Everton i hiqen 10 pikë nga renditja
Shkelja e rregullave financiare në futboll, pavarësisht se nuk trajtohet shumë, është një nga problematikat më të mëdha në botën e këtij sporti, ku klube nga më të ndryshmet, si ato të miliardave, por edhe ato të “qindarkave” herë pas here nuk shpëtojnë pa u ndëshkuar nga bordi drejtues i kampionateve vendasve e i tillë është dhe rasti i “gjigantëve” anglezë të Everton.
Këta të fundit kanë marrë, këtë të premte, një ndëshkim nga bordi i Premier League, me ulje prej 10 pikësh, pas shkeljes së këtyre rregullave. Gjithçka është mësuar nga një deklaratë për mediat, nga vetë Premier League, në të cilën thuhet se pas një ankese kundër klubit, komisioni i pavarur që hetoi çështje vendosi t’i japë “bluve” të Liverpulit dënimin drastik.
“Një panel i pavarur ka vendosur një zbritje prej 10 pikësh për Everton për shkeljen e rregulloreve të përfitimit dhe qëndrueshmërisë (PSR). Ai hyn në fuqi menjëherë.
Premier League paraqiti një ankesë kundër klubit dhe ia referoi çështjen një komisioni të pavarur në fillim të këtij viti. Gjatë procedurave, klubi pranoi se kishte shkelur PSR-të për periudhën që përfundon me sezonin 2021/22, por shtrirja e shkeljes mbeti e diskutueshme.
Pas një seance dëgjimore pesë-ditore muajin e kaluar, komisioni zbuloi se llogaritja e PSR-ve nga Everton për periudhën përkatëse rezultoi në një humbje prej 124.5 milionë £, siç pretendohet nga Premier League. Kjo e tejkaloi pragun prej 105 milionë £ të lejuar sipas PSR-ve.
Komisioni konkludoi se duhet të zbatohet një sanksion sportiv prej 10 pikësh. Ky sanksion hyn në fuqi menjëherë”,- thuhet në deklaratë.
Pas heqjes së këtyre pikë, tashmë Everton rrezikon jo pak mbijetesën në elitën e futbollit anglez, teksa nga vendi i 14-të në tabelës, që ndodhej, me 14 pikë, shkon në vendin e parafundit të renditjes, me vetëm 4 pikë, po aq sa Burnley, por me një golavarazh më të mirë se këta të fundit