
‘Sherr’ në Shtëpinë e Bardhë para Trump, Musk përplaset me Rubion për USAID!
Klima nuk është aspak e qetë mes Elon Musk dhe anëtarëve të kabinetit të Donald Trump.
Këmbëngulja për shkurtimin e personelit nga kreu i Doge, departamenti i qeverisë për efikasitetin, thuhet se acaroi veçanërisht Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Madje pati edhe një debat të ashpër mes të dyve para presidentit.
Sipas asaj që raporton e përditshmja New York Times, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Rubio kritikoi hapur Musk se kishte çmontuar në mënyrë efektive Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar,USAID, e cila bie nën juridiksionin e tij.
“Musk nuk po thotë të vërtetën”, thuhet se tha Rubio, duke iu referuar 1500 zyrtarëve të Departamentit të Shtetit që kanë pranuar stimuj për pension të parakohshëm.
Rubio më pas paraqiti planet e tij për të riorganizuar departamentin, ndërsa Trump dhe anëtarë të tjerë të kabinetit e panë përplasjen.
Një moment tjetër i tensionuar ndodhi kur Musk debatoi me Sekretarin e Transportit Sean Duffy për sistemet e kontrollit të trafikut ajror.
Duffy u ankua se ekipi i Musk po përpiqej të shkurtonte stafin e kontrollit të trafikut ajror, në kohën kur vendi po përballet me një krizë pas rrëzimit më të madh të avionit në 15 vjet, shkruan La Repubblica.
“Çfarë duhet të bëj? Kam më shumë përplasje avioni dhe ekipi juaj dëshiron që unë të shkarkoj kontrollorët e trafikut ajror?”.
Ndërkohë kur Trump u pyet në lidhje me këtë situatë tha se, “nuk kishte asnjë përplasje” mes Rubio dhe Musk./New York Times