Shefi i NATO-s pret që zgjedhjet në Kosovë të mos ndikojnë në destabilizim të situatës
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si çështje kyçë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Këto deklarata ai i bëri më 13 janar gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel.
“Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës”, tha shefi i NATO-s.
Ai shtoi se aleanca nuk do të lejojë të ketë ndonjë vakum të sigurisë, as në Bosnje e Hercegovinë, e as diku tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, tha Rutte.
Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt.