Shefi i Hezbollahut zotohet për hakmarrje ‘efektive’ kundër Izraelit
Kreu i lëvizjes pro-iraniane të Hezbollahut, Hassan Nasrallah u zotua sot se do të ndërmerrte një hakmarrje “efektive” kundër Izraelit.
“Përgjigja jonë po vjen dhe do të jetë e fortë dhe efektive”, u tha Nasrallah mijëra ndjekësve të tij në një video.
Deklarata e tij vjen një javë pas vrasjes së komandantit të lartë ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut.
Nasrallah tha se pavarësisht nga pasojat, lëvizja e tij nuk mund ta lërë atentatin të mbetet pa u ndëshkuar. Ai gjithashtu iu referua vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në kryeqytetin iranian, Teheran javën e kaluar.
“Hezbollahu do të përgjigjet, por me kujdes dhe guxim, dhe pritja izraelite është pjesë e përgjigjes”, tha ai.
Nasrallah tha se një sulm hakmarrës mund të ndodhë së bashku me grupet e tjera në të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës”, duke përfshirë ato në Irak dhe Jemen.
Udhëheqja e Iranit është zotuar gjithashtu se do të hakmerret.
“Qëllimi i luftës është të parandalojë fitoren e Izraelit”, tha Nasrallah.
Hezbollahu tha se po vepron në solidaritet me Hamasin në Rripin e Gazës – dhe se nëse luftimet ndalojnë atje, lëvizja do të heqë armët në Libanin jugor.
Shefi i Hezbollahut akuzoi Izraelin se zgjodhi të përshkallëzonte tensionet pasi goditi komandantin brenda periferisë jugore të Bejrutit, një vatër e grupit, dhe vrau Hanniyeh në Teheran.
Shefi i Hezbollahut pranoi se vrasja e Shukr ishte një humbje e madhe për grupin. /atsh