SHBA vendos sanksione të reja ndaj medias shtetërore ruse

SHBA vendos sanksione të reja ndaj medias shtetërore ruse

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar sanksione të reja kundër kanalit mediatik rus, RT duke e akuzuar atë si një “krah de facto të aparatit të shërbimit sekret rus”, sipas BBC.

Diplomati më i lartë amerikan u tha dje gazetarëve se RT është pjesë e një rrjeti mediesh të mbështetura nga Rusia, të cilat kanë kërkuar në fshehtësi të “minojnë demokracinë në Shtetet e Bashkuara”.

Ai shtoi se qeveria ruse ka “vendosur brenda RT, një njësi me aftësi operacionale kibernetike dhe lidhje me shërbimin sekret rus”.

RT transmetoi drejtpërdrejt komentet e Blinkenit në X dhe e shpalli atë “teorinë e fundit të konspiracionit në SHBA”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova tha se duhet të ketë një “profesion të ri” në SHBA, ai i specialistit për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

Duke iu përgjigjur akuzave të SHBA-së se RT kishte kërkuar të ndikonte në zgjedhje, kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, e cila u sanksionua nga SHBA javën e kaluar, tha se shumë persona nga stafi i RT-së kishin studiuar në SHBA dhe me financim të SHBA-së.

Departamenti i Shtetit akuzoi transmetuesin shtetëror, dikur ”Russia Today”, për përfshirje në “operacione informacioni, ndikim të fshehtë dhe prokurime ushtarake” në vendet në Evropë, Afrikë dhe Amerikën Veriore dhe Jugore.

Blinken akuzoi gjithashtu RT për organizimin e mbledhjeve të fondeve në internet për të blerë pushkë snajper, drone dhe pajisje të tjera për ushtarët rusë që luftojnë në Ukrainë.

”Rrjeti”, tha ai, ”gjithashtu ka kërkuar të ndikojë në politikën e Moldavisë në koordinim me shërbimin sekret rus përpara zgjedhjeve presidenciale në tetor 2024”.

Blinken tha në një konferencë shtypi se “kundërhelmi ynë më i fuqishëm ndaj gënjeshtrave të Rusisë është e vërteta. Ajo po ndriçon mbi atë që Kremlini po përpiqet të bëjë nën mbulesën e errësirës”.

Blinken theksoi se sanksionet nuk kishin lidhje me përmbajtjen e raportimit të gazetës dhe ai pohoi mbështetjen e SHBA-së për gazetarinë e pavarur.

“Aktivitetet me ndikim të fshehtë nuk janë gazetari”, tha ai.

Njoftimi është pjesë e një sërë veprimesh që qeveria amerikane ka ndërmarrë kundër medias shtetërore ruse, ndërsa afrohen zgjedhjet e vitit 2024. /atsh/

Share This