SHBA-ja sulmon Iranin, Trump: Impiantet kryesore bërthamore të shkatërruara

SHBA-ja sulmon Iranin, Trump: Impiantet kryesore bërthamore të shkatërruara

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer sulme ajrore ndaj tre objekteve bërthamore iraniane. Presidenti Donald Trump tha në një fjalim publik se të gjitha objektet kryesore ishin shkatërruar plotësisht.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë se ushtria amerikane ka goditur tre objekte bërthamore iraniane, derisa Shtetet e Bashkuara u përfshin në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Presidenti Trump ka njoftuar për sukses spektakolar ushtarak, duke thënë se bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Esfahan gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.

“Të gjithë i kanë dëgjuar këto emra për vite të tëra, teksa ata ndërtuan këtë ndërmarrje jashtëzakonisht shkatërruese”, ka theksuar Trump gjatë një fjalimi drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas tij, qëllimi ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë.

Trump, ka thënë se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet kryesore të Iranit për pasurim të uraniumit.

“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh dhe shumë më i lehtë”, ka theksuar ai.

E ardhmja e Iranit, sipas presidentit amerikan, “ose ka paqe ose tragjedi”. Ai ka deklaruar se në Iran ka ende shumë caqe që mund të goditen.

“Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i godasim caqet e tjera me precizitet”, ka thënë ai, duke falënderuar ushtrinë izraelite dhe atë amerikane për realizimin e operacionit.

“Shpresoj të mos kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë kapacitet. Shpresoj shumë”, është shprehur Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë, e prapa tij gjendeshin nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Kurse transmetuesi publik izraelit, KAN, citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se sulmet u kryen në koordinim të plotë me Uashingtonin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka uruar Trumpin për sulmet “e guximshme” të SHBA-së, duke e quajtur sulmin një moment historik që mund ta çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.

“Urime president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të drejtë të SHBA-së do ta ndryshojë historinë”, ka thënë Netanyahu përmes një video-adresimi.

Nga ana tjetër sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ishte thellësisht i alarmuar nga përshkallëzimi.

“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, ka thënë Guterres.

Ndërsa, një ligjvënës iranian që përfaqëson qytetin e Qomit, pranë impiantit bërthamor Fordoë, u citua në median shtetërore iraniane të ketë pretenduar se dëmi në impiantin ishte “vetëm mbi tokë dhe mund të riparohet”.

Gjithashtu, ai ka thënë se çdo përmbajtje që mund të paraqesë rrezik për qytetarët është hequr nga faqja.

Vendimi për të goditur Iranin mund të jetë politikisht i rrezikshëm për Trumpin, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar me premtimin që të mbajë SHBA-në jashtë konflikteve të huaja.

Disa anëtarë të koalicionit të tij, Ta Bëjmë Amerikën Madhështore Sërish, e kanë këshilluar Trumpin që të mos përfshijë drejtpërdrejt ushtrinë amerikan në sulme ndaj Iranit.

Share This