SHBA i kërkon Izraelit të mos ndalojë agjencinë e OKB-së për ndihma
SHBA i ka kërkuar Izraelit që të mos e ndalojë agjencinë e OKB-së për ndihma në Palestinë, për shkak të shqetësimeve të situatës së rëndë humanitare në Gazë. Ndërkohë, në Libanin fqinj, Hezbollahu ka njoftuar se ka zgjedhur liderin e ri.
Aleatët e Izraelit kanë dënuar vendimin e parlamentit izraelit që ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA të punojë brenda vendit.
Ligjet – që do të hyjnë në fuqi brenda tre muajve – ndalojnë organizatën të operojë në Izrael, Jerusalemin Lindor, duke kufizuar ashpër aftësinë e saj për të punuar në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller është shprehur “se SHBA vazhdon t’i bëjë thirrje qeverisë së Izraelit të ndalojë zbatimin e këtij legjislacioni. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres thotë se UNRWA është e domosdoshme dhe ndalimi do të kishte pasoja shkatërruese për palestinezët.
Izraeli e ka kundërshtuar UNRWA-n për dekada, posaqërisht viteve të fundit, pasi pretendon se disa punonjës të saj ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit, për të cilat OKB zhvilloi një hetim dhe pushoi nëntë anëtarë të stafit.
Ndërkohë, Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, thotë se të paktën 55 persona janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi në qytetin Beit Lahiya, në Gazën veriore, me shumë të bllokuar ende nën rrënoja.
Disa nga të vrarët në sulm ishin gra dhe fëmijë, raporton agjencia palestineze e lajmeve Wafa, duke cituar burime mjekësore. Kurse grupi i armatosur libanez Hezbollah sot njoftoi se kishte zgjedhur nënkryetarin Naim Qassem për të pasuar liderin e përgjithshëm Hassan Nasrallah, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në periferinë jugore të Bejrutit më shumë se një muaj më parë.
Ai u emërua si zëvendës shef i Hezbollahut në vitin 1991 nga lideri i atëhershëm i grupit të armatosur, Abbas al-Musawi, i cili u vra nga një sulm me helikopter izraelit në vitin e pasues. /rtk/