SHBA godet objektet bërthamore iraniane, Trump: Paqe ose pasoja më të mëdha

SHBA godet objektet bërthamore iraniane, Trump: Paqe ose pasoja më të mëdha

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një ofensivë të paprecedentë ajrore ndaj tre prej objekteve bërthamore më të rëndësishme të Iranit, Natanz, Isfahan dhe Fordow duke përdorur bombardues strategjikë B‑2 dhe raketa Tomahawk me kapacitet shkatërrues për depërtim në bunkerë.

Presidenti Donald Trump, në një fjalim të drejtpërdrejtë televiziv, e cilësoi operacionin si një “sukses spektakolar ushtarak” dhe i bëri thirrje Teheranit të zgjedhë menjëherë rrugën e paqes. “Nëse Irani nuk ulet për të negociuar, do të përballet me sulme shumë më të mëdha,” tha ai. Trump theksoi se SHBA nuk kërkon ndryshim regjimi, por siguri globale dhe ndalim të përhershëm të programit bërthamor iranian citon CNN.

Irani ka pranuar pjesërisht sulmet, veçanërisht në kompleksin Fordow, por pretendon se dëmet janë të kufizuara dhe nuk ka rrezik për ndotje radioaktive, pasi materiali i ndjeshëm ishte larguar paraprakisht. Në kundërpërgjigje, Irani ka nisur raketa drejt Izraelit, me shpërthime të dëgjuara mbi Jerusalem.

Izraeli ka përshëndetur ndërhyrjen amerikane, me kryeministrin Netanyahu që e ka cilësuar si një “vendim të guximshëm që do të ndryshojë rrjedhën e historisë”. Ndërkohë, reagimet ndërkombëtare janë të përziera. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka paralajmëruar se situata paraqet një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin global.

Në SHBA, sulmi ka shkaktuar debat politik ndërsa republikanët kanë përgëzuar Presidentin Trump, demokratët e kanë kritikuar veprimin si një përshkallëzim të rrezikshëm pa miratim të Kongresit. Pentagon pritet të japë më shumë detaje në një konferencë shtypi gjatë ditës.

Share This