SHBA: E papranueshme përgjigjja e Hamasit për armëpushimin

SHBA: E papranueshme përgjigjja e Hamasit për armëpushimin

SHBA e konsideroi “plotësisht të papranueshme” dhe e  kritikoi si një hap prapa përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit amerikan për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë të lëshuar dje, lëvizja islamike palestineze njoftoi se kishte “paraqitur përgjigjen e saj ndaj propozimit të fundit nga i dërguari i SHBA-së” për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Shtetet e Bashkuara kishin treguar më parë gjatë javës se kishin marrë pëlqimin e Izraelit për propozimin e tyre, me presidentin Donald Trump që siguroi të premten se një marrëveshje për një armëpushim në Gaza ishte “shumë afër”.

Të premten, ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i kërkoi Hamasit të pranonte propozimin amerikan për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të rrëmbyera gjatë sulmit të paprecedentë nga lëvizja islamike palestineze më 7 tetor 2023 ose do të përballej me “asgjësim”.

Që atëherë, në luftë me Hamasin në Rripin e Gazës, Izraeli po përballet me një presion ndërkombëtar në rritje për t’i dhënë fund konfliktit.

Situata humanitare është katastrofike në territorin palestinez, ku një bllokadë prej më shumë se dy muajsh, e lehtësuar pjesërisht javën e kaluar, ka çuar në mungesa të mëdha ushqimi, ilaçesh dhe nevojash të tjera themelore.

Hamasi shpjegoi në deklaratën e tij se marrëveshja e propozuar përcakton që “10 të burgosur të gjallë, të mbajtur nga rezistenca do të lirohen, përveç kthimit të 18 trupave, në këmbim të një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë” të mbajtur nga Izraeli.

Nga 251 personat e rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor 2023, në Izrael, 57 ende mbahen në Rripin e Gazës, të paktën 34 prej të cilëve kanë vdekur, sipas autoriteteve izraelite, raporton atsh.

Share This