SHBA do të ruajë drejtimin e NATO-s në Evropë, gjenerali i ardhshëm i lartë amerikan do të udhëheqë forcat ushtarake

SHBA do të ruajë drejtimin e NATO-s në Evropë, gjenerali i ardhshëm i lartë amerikan do të udhëheqë forcat ushtarake

Presidenti Donald Trump do të ruajë rolin tradicional të një gjenerali amerikan në krye të NATO-s, të paktën për momentin.

Kjo u bë e ditur nga tre zyrtarë amerikanë, një zyrtar perëndimor dhe një burim i NATO-s, edhe pse Uashingtoni po i shtyn aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Vetë Trump ia komunikoi privatisht vendimin Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, tha zyrtari perëndimor, duke folur në kushte anonimiteti.

Pentagoni, Shtëpia e Bardhë dhe NATO, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Vendimi do të lehtësojë aleatët evropianë të NATO-s dhe madje edhe disa nga bashkërepublikanët e Trump, mes shqetësimeve se deklaratat e ashpra të Uashingtonit ndaj Evropës dhe skepticizmi rreth luftës në Ukrainë, mund të sinjalizonin një tkurrje të shpejtë të udhëheqjes ushtarake të Amerikës.

Megjithatë, zyrtarët thonë se paralajmërimet e SHBA-së se administrata e Trump duhet ta zhvendosë fokusin e saj në Azi për sigurinë kombëtare janë të drejta. Ndërsa ende nuk janë marrë vendime, administrata e Trump ka diskutuar reduktimin e mundshëm të trupave në Evropë, ku sot ndodhen rreth 80,000 personel amerikan.

Kandidati i ardhshëm i pritur i SHBA-së për pozicionet e Komandantit Suprem të Forcave Aleate për Evropën (SACEUR) dhe Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) është Gjeneral-Lejtnant i Forcave Ajrore, Alexus Grynkewich, thanë zyrtarët amerikanë.

Zyrtarët amerikanë folën në kushte anonimiteti përpara një njoftimi që pritet në ditët në vijim.

Pozicioni i SACEUR, i cili mbikëqyr të gjitha operacionet e NATO-s në Evropë, është mbajtur nga një gjeneral amerikan që nga krijimi i tij pas Luftës së Dytë Botërore. Gjenerali i Ushtrisë Amerikane Dwight D. Eisenhower u bë SACEUR i parë i aleancës në vitin 1951.

Që nga marrja e detyrës në janar, administrata e Trump ka ushtruar presion mbi Evropën që të rrisë shpenzimet e veta të mbrojtjes, duke thënë se Evropa duhet të jetë kryesisht përgjegjëse për mbrojtjen në kontinentin evropian.

Se sa shpejt Evropa do ta marrë përsipër një rol të tillë mbetet ende një pyetje e madhe. Ka pasur diskutime brenda administratës rreth mundësisë së dorëzimit të detyrës së Komandantit Suprem të Forcave Aleate për Evropën një kombi evropian, thonë zyrtarët.

“Mos u gaboni: Presidenti Trump nuk do të lejojë askënd ta shndërrojë xhaxhain Samin në ‘Xhaxha Pinjoll’”, u tha sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, gazetarëve gjatë një vizite në selinë e NATO-s në shkurt.

Gjatë mandatit të parë të Trump, ruajtja e NATO-s dhe rolit udhëheqës të SHBA-së në aleancë ishte një përparësi kryesore për shefat e tij të Pentagonit. Gjenerali në pension i Korpusit të Marinës Jim Mattis, sekretari i tij i parë i mbrojtjes, dha dorëheqjen pjesërisht për shkak të skepticizmit të Trump ndaj NATO-s.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara ende pritej të ushtronin presion mbi Evropën që të bënte më shumë dhe në të ardhmen mund të fillonin të ridrejtonin trupat amerikane diku tjetër, si pjesë e një shqyrtimi më të gjerë të vendosjeve të SHBA-së, vendimi i SHBA-së për të ruajtur rolin e SACEUR me siguri do të mirëpritet nga aleatët kryesorë të Trump në Kongres.

Dy ligjvënësit republikanë që kryesojnë komitetet mbikëqyrëse të Pentagonit në Kongresin e SHBA-së lëshuan një deklaratë të rrallë të përbashkët në mars, duke shprehur shqetësim për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga struktura komanduese e SACEUR.

Grynkewich, i cili tani është drejtor për operacionet në Shtabin e Përbashkët të ushtrisë amerikane, do të pasojë gjeneralin e ushtrisë, Christopher Cavoli, i cili ka qenë në këtë rol që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, duke ndihmuar në mbikëqyrjen e miliarda dollarëve ndihmë amerikane për sigurinë e Kievit.

Trump mori detyrën në janar duke parashikuar se do të ishte në gjendje t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orësh. Në muajt që nga ajo kohë, ai ka zbuluar se konflikti është më i vështirë për t’u zgjidhur nga sa besonte dhe ka fajësuar paraardhësin e tij, Joe Biden, që e lejoi të ndodhte kjo. /Reuters/

Share This