SHBA, BM, Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit në Siri
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për shmangien e menjëhershme të përshkallëzimit në Siri – pasi një aleancë të fraksioneve rebele, të udhëhequra nga grupi islamik Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), thuhet se ka marrë kontrollin e Alepos nga forcat qeveritare siriane gjatë fundjavës.
“Ne po monitorojmë nga afër zhvillimet në Siri dhe kërkojmë shmangien e përshkallëzimit nga të gjitha palët dhe mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës për të parandaluar zhvendosjen e mëtejshme dhe ndërprerjen e aksesit humanitar”, thanë katër vendet e NATO-s në një deklaratë të përbashkët dje në mbrëmje.
“Përshkallëzimi aktual vetëm nënvizon nevojën urgjente për një zgjidhje politike të konfliktit të udhëhequr nga Siria”, thuhet në deklaratë në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Miratuar në vitin 2015, rezoluta bën thirrje për bisedime paqeje midis qeverisë siriane dhe forcave të opozitës.
Ndërkohë, presidenti sirian Bashar al-Assad ka njoftuar një kundërofensivë pas kapjes së Alepos.
Rusia, një aleat kyç i regjimit të al-Asadit në luftën civile që filloi në vitin 2011, nisi sulmet ajrore në qytet për herë të parë që nga viti 2016, duke synuar gjithashtu pozicionet rebele në të gjithë Sirinë veriperëndimore. /ATSH/