SHBA akuzon Rusinë për ‘ndikim keqdashës’ në zgjedhjet e 2024
Qeveria amerikane ka sanksionuar disa individë dhe entitete ruse për “përpjekje për ndikim keqdashës” në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të planifikuara në nëntor, thanë sot Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Drejtësisë.
“Departamenti i Drejtësisë ka urdhëruar gjithashtu sekuestrimin e 32 domeneve të përdorura në fushatat e ndikimit të huaj keqdashës të drejtuara nga qeveria ruse”, thuhet në deklaratë.
“Rrethi i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin i drejtoi kompanitë ruse të marrëdhënieve me publikun të promovojnë dezinformimin dhe narrativat e sponsorizuara nga shteti, si pjesë e një fushate për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2024”, tha prokurori i përgjithshëm Merrick B. Garland.
“Një dokument i brendshëm i planifikimit i krijuar nga Kremlini thotë se qëllimi i fushatës është të sigurojë rezultatin e preferuar të Rusisë në zgjedhje”, thuhet në deklaratë.
“Site-t që po kapim sot ishin të mbushura me propagandë të qeverisë ruse që ishte krijuar nga Kremlini për të reduktuar mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, për të forcuar politikat dhe interesat pro-ruse dhe për të ndikuar tek votuesit në SHBA dhe vende të tjera”, sipas deklaratës.
Në një deklaratë të veçantë, Departamenti Amerikan i Thesarit tha se po sanksiononte 10 individë dhe dy entitete – si pjesë e një reagimi të koordinuar të qeverisë amerikane ndaj përpjekjeve të ndikimit keqdashës të Moskës që synojnë zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA.
“Aktorët rusë të sponsorizuar nga shteti kanë përdorur prej kohësh një sërë mjetesh, të tilla si falsifikimet dhe dezinformatat e thella të inteligjencës artificiale gjeneruese (IA), në një përpjekje për të minuar besimin në proceset dhe institucionet zgjedhore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratë.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë planifikuar më 5 nëntor, raporton atsh.