
Shaqiri i vendosur: Nuk ka para që më largojnë nga Baseli
Xherdan Shaqiri ka hedhur poshtë çdo spekulim për një largim të mundshëm nga FC Basel, duke theksuar se ndjehet më i lidhur se kurrë me klubin e tij të zemrës.
Në një deklaratë për median zvicerane Blick, ylli i përfaqësueses së Zvicrës ishte i qartë dhe i prerë për të ardhmen e tij.
“Për momentin nuk ka para që më largojnë nga Baseli. Ndihem komod këtu, ashtu si e kemi parë në edicionin e kaluar,” u shpreh Shaqiri, duke treguar qartazi përkushtimin ndaj klubit ku nisi karrierën e tij profesionale.
Kthimi i Shaqirit në Superligën zvicerane vitin e kaluar u pa si një moment historik për FC Basel, ndërsa performancat e tij në sezonin e fundit konfirmuan se ai ende mbetet një lojtar vendimtar në fushë.
Deklarata e tij vjen mes thashethemeve për interesim nga klube të ndryshme evropiane dhe jashtë saj, por 32-vjeçari i bëri të qartë se prioriteti i tij është vazhdimësia me fanellën e Baselit.
Me një karrierë të pasur në klube si Bayern Munich, Liverpool dhe Inter, Shaqiri tashmë duket i përqendruar në një kapitull më të qetë por emocional, duke e lidhur të ardhmen e tij me qytetin dhe tifozët që e rritën si futbollist.