Shaqiri dëshmon sërish pse Zvicra nuk mundet pa të
Nëse ka pasur dyshime që përfaqësuesja e Zvicrës në futboll nuk bën pa Xherdan Shaqirin, 32-vjeçari i hoqi ato me paraqitjen ndaj Irlandës, të martën mbrëma.
Gjuajtja e lirë e tij në minutën e 23-të ishte momenti i vetëm kulmor i Zvicrës në sulm. Ndonëse Shaqiri nuk hoqi plotësisht problemet e Zvicrës në sulm, goli i tij bëri që helvetikët më në fund të largohen nga fusha si fitues.
Zvicra ishte pa fitore në pesë ndeshje. Të martën fitoi 1:0 në Dublin.
Gjatë festimit të golit, shkëlqimi mbuloi fytyrën e Shaqirit. Edhe pas ndeshjes Xherdani ishte në disponim. Ka dhënë deklarata të forta, shkruan “Blick”.
I pyetur nëse Zvicra është e rrezikshme në sulm vetëm me të në përbërje, Shaqiri u përgjigj duke qeshur: “Pse, kur nuk ishte kështu?”.
Më pas vazhdoi të flas më seriozisht.
“Natyrisht, shpresoj që në një pikë do të ketë një pasardhës që do të jetë kreativ dhe do të ec gjurmëve të mia”.
Pyetja tjetër për kosovarin po ashtu ishte me dozë provokimi. “Ka diskutime për gjendjen tuaj fizike. A do të jeni të gatshëm për Evropian?”
“Kur nuk kam qenë i gatshëm për ngjarje të madhe? Gjithnjë kam bërë më të mirën. Është çështje momenti: duhet të jeni në top-formë kur vërtetë vlenë”, është përgjigjur Shaqiri, sërish duke qeshur.
“Shumë është shkruar në ditët e fundit. Shumë gjëra të panevojshme po ashtu. Është fakt që kam pasur tetë javë pushim. Stinori në Amerikë ka nisur vetëm një muaj më parë. Është normale që nuk jam Shaqiri i vërtetë ende. Duhet edhe pak kohë”.
Ka pasur shumë shkrime edhe për raportet e Shaqirit me selektorin e Zvicrës, Murat Yakin. Ai u la në stol ndaj Danimarkës, javën e kaluar.
“Marrëveshja ishte që nuk do të luaja ndaj Danimarkës. Secili që thotë ndryshe gabon. Trajneri ka dashur të eksperimentojë dhe të shoh sa më shumë lojtarë që të jetë e mundur. Dhe kjo është gjëja e duhur për të bërë. Raportet e Yakinit me mua ishin të mira që nga fillimi. Dhe vazhdojnë të jenë”, ka treguar Shaqiri.
Me golin e bukur nga goditja e dënimit, Shaqiri thotë se nuk ka dashur të dëshmojë asgjë. Ai tashmë është shumë i dëshmuar.
“Jam i lumtur që isha në gjendje të ndihmojë ekipin dhe që kemi fituar sërish. Kjo është shumë e rëndësishme për moralin tonë në prag të Kampionatit Evropian”.
Tani Shaqiri kthehet për në SHBA. Dhe ndonëse pati shumë raportime lidhur me emrin e tij, Xherdani largohet si fitues i madh i ndeshjeve të marsit. Dëshmoi sërish se forca në sulm e Zvicrës varet shumë prej tij.