Shala nënvlerëson Ballkanin: Dinamo Zagreb do të kualifikohet
Ndeshja e Dinamo Zagrebit kundër kampionit kosovar Ballkanit do të zhvillohet këtë të enjte në “Maksimir” të Zagrebit.
Për këtë takim ka folur ish-futbollisti i Prishtinës dhe Dinamo Zagrebit, Kujtim Shala, i cili favorizoi ish-ekipin e tij kroat duke thënë që Dinamo ka lojtarë të mirë dhe se “nuk shoh mënyrë se si mund t’i ndalojë Ballkani”.
“Nuk duhet të nënçmohet askush, pra as Ballkani, por unë jam 100 për qind i sigurt që Dinamo do të fitojë në ndeshjen e kthimit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë rezultat tjetër. Besoj në lojtarët tanë dhe në trajnerin Jokiroviq, që sigurisht në mënyrë optimale do ta përgatit ekipin, do ta mposht Ballkanin dhe do të kalojnë në fazën tjetër të Ligës së Konferencës. Dinamo ka ekip më të mirë dhe do të festojë në ‘Maksimirin’ e stërmbushur’”, ka thënë Shala për gazetën kroate “Sportske Novosti”.
Tutje, ai jep edhe instruksione se si duhet të luajë Dinamo duke treguar që të ketë një fillim të fuqishëm duke bërë presion në 15 minutat e parë e të shënojë gol.
“Nuk duhet të pritet me durim, por menjëherë të sulmohet, të shënohet gol dhe të merret kontrolli në lojë. Ky është mendimi im. Jokiroviqi është trajner dhe ai vendos, por do të thosha që mendojmë në mënyrë të ngjashme dhe që vërtetë do të kërkoi gol të hershëm”, ka shtuar Shala, që vazhdon të ketë shumë përkrahës në Kroaci. Ai konsiderohet legjendë e Dinamos.
Sipas tij, Dinamo ka kualitet të padiskutueshëm që të fitojë kundër Ballkanit. Dinamo e Ballkani do të përballen të enjten prej orës 21:00 në “Maksimir” të Zagrebit, në kuadër të xhiros së fundit të fazës grupore të Ligës së Konferencës.
Derisa Dinamos i mjafton barazimi për të avancuar, Ballkanit i duhet fitorja dhe në të njëjtën kohë që Astana mos të fitojë ndaj Viktoria Plzenit në Çeki.