Shala: Ballkani po kalon në formë të mirë por Dinamo favorit
Ish- futbollisti Kujtim Shala konsideron se Ballkani aktualisht po kalon në formë të mirë, mirëpo ai e sheh Dinamon e Zagrebit favorit.
Dy skuadrat kampione ndeshen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të xhiros së dytë të Conference League.
“Për mua është një ndeshje emocionuese, po luan klubi im i zemrës, Dinamo Zagreb me një nga klubit e vendit ku jam lindur e rritur, Ballkanin e Kosovës. Ballkanin e kam përcjellur, po kalon formë shumë të mirë, por mendoj që Dinamo është favorit”, ka thënë për “rtklive.com” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Prishtinës së viteve të arta në Ligën e parë të ish-Jugosllavisë.
Ai e ka përshkruar me fjalë të zgjedhura trajnerin e Ballkanit, Ilir Dajën.
“Suksesi i Ballkanit lidhet me punën e trajnerit Ilir Daja. Unë jam i befasuar me kritikuesit e tij, të cilët gjithashtu duhet të jenë krenar me të”, ka thënë Shala.