
S’gabon Interi
Inter nuk gabon në kampionat, mund 3-1 Cagliarin në ndeshjen e javës 32-të të Serisë A dhe rrit përkohësisht epërsinë ndaj Napolit në krye të tabelës në +6 pikë.
Zikaltërit, që kishin bërë disa ndryshime në formacion në funksion të ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër Bayernit të Mynihut, e thyen ngërçin pas vetëm 13 minutash me një gol të Arnautovic, i cili më pas i shërbeu Lautaros me një asistim të shkëlqyer për golin që çoi rezultatin në 2-0.
Sardët tentuan të rihapin lojën në fillimin e pjesës së dytë, pasi gjetën rrugën e rrjetës me Piccolin, por pas pak minutash djemtë e Inzaghit vulosën rezultatin falë Bisseck, që shënoi golin e tretë për zikaltërit.
Interi merr tre pikët në kampionat dhe fokusohet totalisht te ndeshja e mesjavës kundër Bayernit, që vlen një vend në gjysmëfinalet e Champions League (kujtojmë që zikaltërit fituan 2-1 në Gjermani në çerekfinalen e parë).