
Serbia e shqetësuar për mbështetjen e Malit të Zi ndaj Kosovës
Një ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, deklaroi në një intervistë për RTV Mali i Zi se do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Serbia ka reaguar ashpër.
Në një deklaratë të publikuar sot, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë thotë se “mbështetja e Malit të Zi për Kosovën është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”. Sipas Beogradit, këto qëndrime “përkeqësojnë tensionet rajonale dhe nuk kontribuojnë në stabilitetin në Ballkan”.
Kjo ministri gjithashtu thekson se nuk ndërhyn në politikat e jashtme të shteteve sovrane, por paralajmëron se interesat jetike të shteteve dhe popujve të tjerë duhet të respektohen, duke bërë thirrje për dialog dhe përmbajtje nga të gjitha palët për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë fqinjëve tanë, përfshirë edhe Malin e Zi, që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të punojnë për forcimin e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, raporton rtk.
Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, në një intervistë për televizionin shtetëror TVCG, deklaroi se Mali i Zi do të mbështesë Kosovën, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. “Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që ushqen marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Prandaj, ne do ta mbështesim shtetin fqinj mik Kosovën, sepse është një përparësi e politikës së jashtme të jemi anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian e kjo nuk bie ndesh me atë rrugë,” tha Ibrahimoviq.